Secondary Adv

Falja fiskale prek edhe taksat vendore, si mund të përfitojnë qytetarët dhe bizneset

Qytetarët dhe bizneset me detyrime të prapambetura ndaj bashkive mund të përfitojnë nga falja e plotë ose e pjesshme e taksave vendore, gjobave dhe kamatëvonesave, pas hyrjes në fuqi të ligjit të “Paqes Fiskale”.

Bashkia e Tiranës bëri të ditur se ligji nr. 86/2025 për faljen dhe lehtësimin e detyrimeve tashmë po zbatohet edhe për taksat dhe tarifat vendore, duke u dhënë mundësi qytetarëve pronarë të njësive tregtare dhe bizneseve debitore të përfitojnë nga skemat e reja lehtësuese.

 

Detyrimet deri në vitin 2014 falen automatikisht

Sipas përcaktimeve të ligjit, të gjitha detyrimet vendore të krijuara deri më 31 dhjetor 2014 do të fshihen automatikisht, pa qenë nevoja për pagesë apo procedura shtesë nga ana e taksapaguesve.

Kjo kategori përfiton falje të plotë të principalit, gjobave dhe kamatëvonesave të akumuluara ndër vite.

 

Dy formula lehtësuese për detyrimet 2015-2019

Për detyrimet e krijuara gjatë periudhës 1 janar 2015 deri më 31 dhjetor 2019, ligji parashikon dy alternativa për përfitimin e faljes.

Taksapaguesit mund të paguajnë 50% të principalit deri më 30 qershor 2026 dhe pjesa tjetër e detyrimit do të falet, ose të zgjedhin pagesën e 75% të principalit deri më 31 dhjetor 2026, duke përfituar sërish faljen e pjesës së mbetur.

Në të dyja rastet, falen plotësisht të gjitha gjobat dhe kamatëvonesat.

 

Për detyrimet 2020-2024 falen penalitetet

Për detyrimet e krijuara në periudhën 2020-2024 nuk parashikohet falje e principalit, por qytetarët dhe bizneset mund të përfitojnë faljen e gjobave dhe interesave për vonesat, nëse paguajnë të gjithë principalin deri në fund të vitit 2026.

Bashkia e Tiranës sqaron se edhe në rastet kur principali është paguar më herët dhe kanë mbetur vetëm gjoba apo kamatëvonesa, këto detyrime do të falen automatikisht.

 

Si mund të përfitojnë qytetarët dhe bizneset

Autoritetet vendore u bëjnë thirrje qytetarëve dhe subjekteve që gjatë kryerjes së pagesës të specifikojnë se pagesa po realizohet në bazë të ligjit të faljes fiskale, në mënyrë që të përfitojnë nga skemat lehtësuese.

Taksapaguesit mund të kontrollojnë detyrimet përmes platformës e-Albania, ndërsa për informacion shtesë mund të kontaktojnë Drejtorinë e Përgjithshme të Taksave dhe Tarifave Vendore pranë Bashkisë së Tiranës.

 

Kush përjashtohet nga përfitimi

Ligji nuk përfshin subjektet që janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë ose që janë në proces gjyqësor apo hetim penal për vepra në fushën tatimore dhe doganore.

Skema e faljes fiskale konsiderohet një nga ndërhyrjet më të gjera për pastrimin e detyrimeve të vjetra dhe lehtësimin e barrës financiare për qytetarët dhe bizneset, ndërsa zbatimi i saj do të vijojë deri në fund të vitit 2026.

Burimi: Ekofin.al


Më të lexuarat